Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet në Kuvend ndaj deputetëve të mazhorancës, duke i akuzuar se po përdoren për të mbrojtur Belinda Ballukun nga kërkesa e SPAK për arrestim.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se socialistët janë të gatshëm të ndryshojnë ligje për të mbrojtur një zyrtare që, sipas tij, është “damkosur para shqiptarëve”. Ai tha se mazhoranca po sillet si “kukulla” në funksion të mbrojtjes së interesave të kryeministrit.
Berisha shtoi se deputetët e PS-së po nxiten drejt një veprimi të gabuar, ndërsa akuzoi drejtuesit e mazhorancës se mbajnë qëndrime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, para përfaqësuesve ndërkombëtarë “e kyçin gojën”, ndërsa në Kuvend mbajnë qëndrime të ashpra për të mbrojtur qeverinë.
Debati për çështjen e Ballukut dhe kërkesën e SPAK për autorizim vijon të dominojë seancat parlamentare, duke përshkallëzuar tensionet mes opozitës dhe mazhorancës.
