Në horizontin politik të Shqipërisë duket se po afron një stuhi e fuqishme, me shenja të qarta se një ministër i lartë shumë shpejt do të shënjestrohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), sipas modelit të sanksioneve ndaj zyrtarëve të lartë në vende të NATO-s dhe BE-së, siç ndodhi me Shefin e Kabinetit të Viktor Orban, Antal Rogán. Ky paralajmërim, i bërë publik përmes një reagimi në rrjetet sociale nga ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, është një “bombë” politike që ngre alarmin për ekzekutivin shqiptar.
Ndryshimi i rregullave të lojës nga Uashingtoni dëshmon se toleranca ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin ka arritur fundin. I drejtpërdrejtë në atë që thotë, zoti Meçollari thekson se sanksionimi i një zyrtari të lartë në detyrë përbën një mesazh të fortë që SHBA është e gatshme të shkojë deri në majat e pushtetit për të ndëshkuar ata që minojnë demokracinë. Kjo strategji e re, e cila nisi me rastin e Hungarisë, pritet të godasë edhe Ballkanin, ku fenomeni i korrupsionit dhe ndikimet destabilizuese mbeten sfida të mëdha. Në këtë kuadër, paralajmërimi i Meçollarit nuk është thjesht një teori, por një sinjal për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën publike.
Kështu që me nisjen e këtij plani të ri nga amerikanët, udhëheqësit në Shqipëri dhe rajon duhet të përgatiten për një epokë, ku përgjegjësia dhe transparenca nuk do të jenë më opsion, por detyrim. Megjithatë a është Shqipëria gati për të përballuar pasojat e kësaj “ere të re” politike? Koha do ta tregojë, por paralajmërimi është i qartë, se askush nuk është mbi ligjin. “Ndryshojë loja e sanksioneve nga SHBA. Sanksionimi i Shefit të Kabinetit Antal Rogán të Kryeministrit Viktor Orban nga SHBA, është një risi. Kjo pasi një zyrtar i lartë i një vendi anëtar të NATO-s dhe BE-s sanksionohet ndërsa është në detyrë. Parashikimi im është se dhe në Shqipëri, shumë shpejt, do të sanksionohet nga Departamenti i Shtetit të SHBA një ministër ose funksionar i lartë në detyrë i ekzekutivit”, shkroi Meçollari në rrjetet sociale.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë hungareze për akuzat për korrupsion, njoftoi të martën Departamenti Amerikan i Thesarit, një masë që Budapesti tha se do ta ankimojë kur të marrë detyrën Presidenti i zgjedhur Donald Trump. Akuzat për korrupsion dhe nepotizëm e kanë shoqëruar Kryeministrin Viktor Orban që kur erdhi në pushtet në vitin 2010, ndërsa marrëdhëniet e Budapestit me Uashingtonin janë përkeqësuar gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të ngrohta të Budapestit me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Kryeministri Orban i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion. Sanksionet u vendosën ndaj Antal Roganit, një bashkëpunëtor i afërt i Orban, që ka mbajtur detyrën si shef kabineti që nga viti 2015, shkroi këtë javë “Reuters”. Rogan ka qenë një person i afërt me Orban prej dekadash, duke drejtuar makinerinë mediatike të qeverisë dhe duke ndihmuar për fushatat e tij zgjedhore. Ai aktualisht mbikëqyr edhe shërbimet sekrete të Hungarisë, një vend anëtar i NATO-s. Departamenti amerikan i Thesarit e akuzon Rogan se ka shfrytëzuar rolin e tij për të siguruar përfitime financiare për veten dhe aleatët politikë. “Personat e lidhur ngushtë me partinë politike në pushtet kanë përfituar një perandori të ardhurash”, tha gjatë një konference për shtypin ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman. “Antal Rogani është arkitekt kryesor, zbatues dhe përfitues i këtij sistemi korrupsioni”.
