U kontraktuan pa garë, dritëhijet e arkitektëve ndërkombëtarë të Ramës

Data

Kontrata sekrete, tenderë pa garë dhe projekte pa gjurmë pagesash në dizajnimin e planeve dhe godinave ikonike.

8 vjet më parë, në prill të vitit 2016, një grup gazetarësh nga Shqipëria vizituan Milanon, për t’u njohur me projektin e tarracave të gjelbra, projekt i aplikuar në qytetin verior të Italisë nga arkitekti Stefano Boeri. Takimi u facilitua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me qëllim njohjen e planit të ri, rregullues, të quajtur Tirana 2030, i dizajnuar po nga arkitekti Boeri. Kontraktimi i studios së njohur, italiane u parapri nga një takim në pranverën e vitit 2014, ku 32 arkitektë nga e gjithë bota erdhën me ftesë të kryeministrit, Edi Rama, për të dhënë ide në krijimin e projektit Tirana e Gjeneratës Tjetër. Të ftuarit në këtë vizitë rezultojnë të kenë dizajnuar një duzine veprash publike dhe janë autorë të kullave ikonike, që po pushtojnë vitet e fundit qiejt e kryeqytetit.

Nga ajo kohë e deri më sot emri i Stefano Boeri-t, Winnie Mass-it, Bjarke Ingles-it e të tjerë janë bërë të njohur për shqiptarët, ndërsa Tirana e qytete të tjera kanë marrë “dozat” e arkitekturës moderne, duke shkelur në disa raste mbi pasuri, që ishin pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.

“Ka qenë një takim, ku janë mbledhur disa personalitete, që kishin kontribuuar një kohë për çështje të caktuara dhe ishte një përzierje mes specialistëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Në fushën e trashëgimisë kulturore unë mendoj që i është dhënë më shumë prioritet ekspertizës dhe mendimit të huaj sesa shkollës vendase”, – thotë Auron Tare, anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s.

Projektet e kullave, që mbajnë vulën e arkitektëve me famë botërore, kanë hapur prej disa vitesh një debat të madh në vend, që lidhet me shkeljen e rregullave urbanistike dhe me ndërtimin kaotik, por dhe dyshime të hapura nga disa hetime të autoriteteve të drejtësisë për burimin e financimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related