Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat ku komentoi protestën e zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, të organizuar nga opozita.
Berisha deklaroi se protesta zgjati rreth tre orë dhe se qytetarë nga Tirana dhe mbarë vendi u përballën me forcat e rendit, në atë që ai e cilësoi si një revoltë masive kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit – burra, gra, të rinj dhe të moshuar – për guximin dhe angazhimin e treguar gjatë tubimit.
Sipas Berishës, protesta nuk kishte për qëllim sulmin ndaj institucioneve apo ndërtesave shtetërore, por ishte një shprehje e hapur zemërimi qytetar ndaj korrupsionit, vjedhjes së fondeve publike dhe lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Kreu i PD-së përmendi drejtpërdrejt emra të zyrtarëve të lartë, përfshirë Belinda Ballukun, Ergys Agasin dhe persona të tjerë, duke i lidhur ata me akuza për korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Sipas tij, protesta ishte një mesazh politik dhe shoqëror për ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër asaj që ai e cilësoi si një qeveri e dalë nga farsat elektorale dhe keqmenaxhimi i pasurive publike.
Berisha theksoi se protesta nuk u zhvillua për interesa personale apo partiake, por për dinjitetin njerëzor, ndërgjegjen qytetare dhe interesin kombëtar.
“Dje, për tre orë, kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin dhe sheshet e saj në një protestë të fuqishme. Qindra mijëra qytetarë u përballën me guxim të jashtëzakonshëm me falangat e krimit të narkoregjimit të Edi Ramës.
Nderim i madh për të gjithë qytetarët – djem, vajza, burra, gra dhe të moshuar – që nga Tirana dhe mbarë vendi protestuan në mënyrën më të vendosur kundër Rilindjes kalbësirë dhe organizatës kriminale të Edi Ramës.
Protesta nuk kishte lidhje me ndërtesat apo institucionet, por me revoltën dhe zemërimin e qytetarëve shqiptarë kundër Ramaduros, vjedhjeve të tij me qindra miliona e miliarda euro, lidhjeve të tij me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Protesta lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, AKSHI-n e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarë të tjerë hajdutë. Dje regjimi u trondit nga themelet. Qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Ata u bënë zëri i ndërgjegjes së njerëzve të ndershëm që nuk pajtohen me një qeveri të lidhur me drogën dhe krimin, me një pushtet që vjedh pasuritë publike dhe del nga farsa elektorale. Nuk po luftojmë për veten tonë, as për parti, por për ndërgjegjen e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe interesin kombëtar”, u shpreh Berisha.
