Siç ndodh rëndom në një vit parazgjedhor, disa kantiere ndërtimi rrugësh janë hapur në mënyrë të bujshme gjatë javëve të fundit ndërsa qeveria është angazhuar në një fushatë në të cilën reklamon rrugë dhe ura në ndërtim. Por të dhënat e Buxhetit të Shtetit, të publikuara në faqen zyrtare të parlamentit, sugjerojnë se pjesa më e madhe e fondeve të kërkuara për këto projekte të nisura janë lënë për t’u financuar “pas vitit 2027”, gjë që do të thotë që shqiptarët do të duhet të presin edhe shumë e shumë vite para se të shohin punë realisht të përfunduara.
Lista e Projekteve të Investimeve Publike, një dokument që publikohet çdo vit bashkë me projekt-buxhetin për vitin pasardhës tregon se aktualisht sektori i rrugëve ka në zbatim apo të konceptuara investime të përgjithshme me vlerë 157 miliardë lekë të financuara nga burime të brendshme dhe 78 miliardë lekë me financime nga burime të huaja, të cilat janë kredi ose dhurata nga Bashkimi Evropian. Por 38 miliardë nga investimet e planifikuara me burime të brendshme dhe 45 miliardë me burime të huaja janë lënë “pas vitit 2027”, gjë që do të thotë se shqiptarët do të duhet të durojnë edhe për shumë dhe shumë vite trafik dhe ndotje të shkaktuar si nga trafiku, ashtu edhe nga punimet.
Unaza e Tiranës
Një numër i lartë zyrtarësh publikë, përfshirë ministren e infrastrukturës Belinda Balluku, publikuan gjatë javëve të fundit video propagandistike mbi një urë që po ndërtohet mbi Lumin e Tiranës dhe që është pjesë e Unazës së Tiranës. Punimet për Unazën e Tiranës kanë nisur që në vitin 2010. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, më shumë se gjysma nuk është përfunduar ende. Dhe, sipas planifikimit buxhetor, një e treta e të gjitha projekteve aktualisht në ndërtim, janë lënë për t’u kryer pas vitit 2027. Unaza e Tiranës është gjithsej 27 kilometra e gjatë.
Segmentet aktualisht në ndërtim janë ndarë në 14 kontrata apo shtesa kontratash për një kosto totale të planifikuar prej 23.7 miliardë lekësh. Këtu nuk përfshihen segmentet e ndërtuara më parë. Deri në fund të këtij viti janë kryer apo planifikohet të kryhen 14 miliardë lekë punime, ndërsa për vitet 2025-2027 janë planifikuar që në këtë segment të shpenzohen vetëm 1 miliardë lekë. Projektbuxheti i Shqipërisë mbështetet në planifikim trevjeçar të investimeve publike kështu që, projektet e lëna për pas kësaj periudhe përshkruhen thjeshtë si “për t’u paguar pas vitit 2027”. Dhe në lidhje me Unazën e Tiranës, shuma e lënë për t’u financuar në vitin 2028 e më tutje është në masën 7.9 miliardë lekë ose 33% e të gjithë kostos së segmenteve aktualisht në ndërtim.
Sipas parashikimit, Loti 3 i Unazës, i cili përfshin segmentin nga Pallati me Shigjeta te ish-Shqiponja, pritet të mos përfundojë as në vitin 2027 pasi për vitin 2028 e në vijim janë lënë të paguhen edhe 148 milionë lekë nga kostoja e përgjithshme prej 4.7 miliardë lekësh. Loti 4, i cili përfshin zgjatimin nga ura e re mbi Lanë për në zonën e Kinostudios pritet të vijojë pas vitit 2028 pavarësisht se ka prodhuar deri tani një numër të lartë videosh promocionale të shpërndara nga Rama apo nga Balluku. Qeveria ka përcaktuar 722 milionë lekë ose 30% të të gjithë kostos së segmentit për t’u paguar “pas vitit 2027”.
