Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua sot parlamentit të Irlandës, ku falënderoi shtetin irlandez për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe për, siç e quajti ai, “mbështetjen e palëkundur” ndaj Kievit që prej nisjes së agresionit rus.
Zelensky vlerësoi qëndrimin konsekuent të Irlandës në mbrojtje të pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në kërkimin e një paqeje të drejtë.
“Ju falënderojmë që nuk e keni humbur besimin tek ne, ashtu siç edhe ne nuk humbim besimin se do të vijë dita kur do t’i mirëpresim të gjithë miqtë tanë në Ukrainë, në paqe,” deklaroi ai.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi rolin e aleancave ndërkombëtare në garantimin e paqes afatgjatë. Sipas tij, vetëm një komunitet i gjerë shtetesh mund ta bëjë paqen “të qëndrueshme”, pasi kur një vend mbështetet realisht nga partnerët e tij, “nuk mund të shtypet dhe të drejtat mund t’i rikthehen”.
“As Rusia dhe as pak aleatët që ka nuk mund ta shkatërrojnë botën,” tha Zelensky. “Askush nuk mund ta mashtrojë botën përgjithmonë, as Putini. Askush nuk mund të qëndrojë kundër të gjithëve.”
Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të ruajnë unitetin e krijuar pas vitit 2022 dhe të mos lejojnë që lodhja apo harresa të zbehin qëndrimin ndaj agresionit rus.
“Memoria njerëzore është e shkurtër dhe vëmendja shpesh e brishtë,” u shpreh Zelensky, duke kërkuar që aleatët t’i rikujtojnë vazhdimisht botës se pushtimi rus është “një akt kriminal, i pajustifikueshëm, që kërkon drejtësi”.
Presidenti ukrainas akuzoi Moskën se vijon ta shohë Ukrainën si pronë të vetën dhe qytetarët ukrainas “sikur të ishin oborri i pasmë i saj”. Ai paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të lejojë asnjë formë “amnezie” mbi krimet e luftës dhe mbi rezistencën ukrainase.
“Moska nuk mund të besojë se do të shpërblehet për këtë luftë me territore të vjedhura dhe fëmijë të rrëmbyer,” përfundoi Zelensky, duke theksuar se çdo zgjidhje paqeje duhet të bazohet në drejtësi dhe rikthim të plotë të të drejtave të cenura nga agresioni rus.
