Gjykata Kushtetuese ka zyrtarizuar sot nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas përfundimit të mandatit të ish-kryetares Holta Zaçaj më 10 mars 2025. Mbledhja e trupës gjyqësore, e kryesuar nga gjyqtarja Marsida Xhaferllari, vendosi që gara të hapet menjëherë dhe kandidatët e interesuar të paraqesin kërkesat brenda pesë ditësh.
Ky vendim erdhi pasi vendi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese mbeti vakant me hyrjen në detyrë të anëtarit më të ri të gjykatës, Asim Vokshi, i cili bëri betimin para Presidentit më 25 nëntor 2025. Me plotësimin e trupës prej nëntë gjyqtarësh, Zaçaj humbi automatikisht statusin si kryetare, duke hapur rrugën për zgjedhjen e drejtuesit të ri.
Në vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese argumenton se, për shkak të vakancës në krye të institucionit, afatet e zgjedhjes duhet të shkurtohen në gjysmën e kohës së zakonshme, në përputhje me rregulloren e brendshme.
Sipas njoftimit zyrtar:
- Procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri nis menjëherë.
- Çdo gjyqtar i Kushtetueses që dëshiron të kandidojë duhet të paraqesë kërkesë me shkrim brenda 5 ditësh.
- Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Me këtë zhvillim, pritet që brenda pak ditësh të bëhen publike emrat e gjyqtarëve që synojnë postin më të lartë në Gjykatën Kushtetuese, një institucion kyç për balancën e pushteteve dhe garantimin e zbatimit të Kushtetutës.
