Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur zyrtarisht se Presidenti amerikan, Donald Trump, do të marrë pjesë në ceremoninë e shortit të Kupës së Botës 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të futbollit botëror.
Ceremonia do të mbahet më 5 dhjetor 2025 në Kennedy Center në Uashington, të zgjedhur nga FIFA si vendi pritës i shortit final. Konfirmimi erdhi gjatë një daljeje të përbashkët të presidentit Trump me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino.
Botërori 2026 do të organizohet në tre vende – SHBA, Kanada dhe Meksikë – dhe do të jetë turneu i parë në histori me 48 kombëtare pjesëmarrëse. Shorti i muajit dhjetor do të përcaktojë ndarjen e ekipeve në 12 grupe me nga katër skuadra, çka zyrtarisht shënon nisjen e fazës përgatitore të eventit më të madh sportiv në botë.
Pjesëmarrja e presidentit amerikan pritet t’i japë ngjarjes një profil edhe më të lartë politik dhe mediatik, duke qenë se SHBA është vendi kryesor organizator dhe pritës i pjesës më të madhe të ndeshjeve.
