Debatet në Kuvend vijuan me tone të ashpra, teksa deputetja e Partisë Socialiste, Kiduina Zaka, iu drejtua kreut të PD-së, Sali Berisha, duke kritikuar gjuhën e përdorur prej tij dhe qëndrimin e opozitës ndaj protestës së fundit.
Zaka u shpreh se opozita është “katandisur si një orkestër me dajre 81-vjeçare”, duke shtuar se retorika e saj vijon në të njëjtën linjë përçarëse. Ajo kritikoi gjithashtu deputeten Ina Zhupa për, sipas saj, mbështetjen e gjuhës seksiste të përdorur në sallë.
Në lidhje me protestën, deputetja socialiste deklaroi se nuk beson që dhuna e shfaqur përfaqëson popullin opozitar. Duke u shprehur si vajza e një ish-polici, Zaka theksoi dhimbjen e familjeve të efektivëve të lënduar gjatë përplasjeve, duke kërkuar që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Ajo përfundoi fjalën e saj me thirrjen që të mos dëmtohen punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa tensionet në seancë mbetën të larta mes palëve politike.
