Seanca plenare është përfshirë sërish nga tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike, me në krye Sali Berishën, bllokuan për herë të dytë foltoren e Kuvendit.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi 5 minuta pushim, duke i bërë thirrje opozitës për reflektim. Ai u shpreh se Partia Demokratike ka pasur rol të rëndësishëm në momente kyçe të historisë së vendit, si në procesin e integrimit evropian dhe gjatë pavarësisë së Kosovës, por shtoi se është “fatkeqësi” situata në të cilën ndodhet sot.
Balla theksoi se nëse opozita vijon me bllokimin e punimeve dhe krijimin e trazirave në sallë, mazhoranca do të procedojë me kalimin direkt në votim, sipas rregullores së Kuvendit.
