Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka vendosur të lërë në arrest me burg Nevzat Spahon, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), i ekzekutuar mbrëmjen e 30 nëntorit pranë karburantit të tij.
Seanca me dyer të mbyllura
Seanca për masën e sigurisë ndaj Nevzat Spahos u zhvillua sot (6 dhjetor) në orën 10:30, me dyer të mbyllura.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën “arrest në burg”, kërkesë e cila u miratua nga gjyqtari Elis Dine.
Në njoftimin zyrtar të gjykatës thuhet:
“…u mbajt seanca për masën e sigurimit për shtetasin N.S., me objekt ‘Vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi’. Në përfundim, gjykata vendosi vleftësim të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës ‘arrest në burg’ për shtetasin N.S.”
Avokati i tij dhe vetë Spaho kundërshtuan masën, duke kërkuar një masë më të lehtë dhe duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar, por gjykata i rrëzoi argumentet, duke u mbështetur te provat e administruara deri tani.
Vendimet për dy të tjerët: ortak dhe roje karburanti
Ky vendim vjen një ditë pas seancës së 5 dhjetorit, po ashtu me dyer të mbyllura, ku gjykata vendosi:
• “Arrest në burg” për Xhino Agon – ish-ortak i viktimës, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje;
• “Arrest në burg” për Kujtim Pishën – roje karburanti, i akuzuar për moskallëzim krimi.
Prokuroria e lidh Xhino Agon me ngjarjen përmes automjetit të përdorur në atentat, një makinë në pronësi të kompanisë që drejtohej bashkërisht nga viktima dhe ortaku i tij, e cila dyshohet se i është vënë në dispozicion personave të tretë.
Mbrojtja e rojës së karburantit ka pretenduar se ai ndodhej duke konsumuar darkë në momentin e ngjarjes, por gjykata nuk e ka konsideruar këtë të mjaftueshme për ta liruar.
Deklaratat e familjes së viktimës
Burime nga seanca e djeshme bëjnë me dije se një element interesant i dosjes janë deklarimet e familjarëve të Mondi Mëhallës, të cilët kanë pohuar se kishin marrëdhënie miqësore të ngushta me familjen Ago.
Kjo është konfirmuar edhe nga të afërm të ish-ortakut të viktimës, të cilët ndodheshin jashtë ambienteve të gjykatës.
Spaho, “hallkë kyçe” në hetim
Burime pranë grupit hetimor e konsiderojnë Nevzat Spahon si një hallkë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të vrasjes, çka shpjegon edhe qëndrimin e prokurorisë për ta mbajtur në burg në këtë fazë.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për dy persona të tjerë ende në arrati, të dyshuar si të përfshirë në ekzekutim.
Si u vra Mondi Mëhalla
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e 30 nëntorit:
• U qëllua me tre plumba: dy në kokë dhe një në trup,
• Brenda mjetit “Range Rover”, pranë karburantit të tij,
• Autori u largua menjëherë nga vendngjarja me një automjet “Audi”, në drejtim të Librazhdit.
Hetimet vijojnë, ndërsa dosja po zgjerohet me prova, dëshmi dhe analiza të lëvizjeve të automjeteve dhe komunikimeve të të dyshuarve.
