Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali nga karabinierët e Bastia Umbrias, pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike në zonën historike të qytetit, pranë një lokali të frekuentuar nga të rinjtë.
Sipas mediave italiane, efektivët vunë re shoferin e një makine me qira teksa i jepte dy doza kokaine një të riu. Blerësi u ndalua menjëherë dhe u raportua administrativisht në Prefekturën e Peruxhias për përdorim personal të drogës.
Ndërkohë, shqiptari – tashmë i njohur më parë nga autoritetet – u kap pak minuta më pas dhe u arrestua. Gjatë kontrollit personal dhe të automjetit, karabinierët gjetën 600 euro, të cilat dyshohet se ishin të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm. Shuma u sekuestrua si provë.
30-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit në Santa Maria degli Angeli, në pritje të gjykimit me procedurë të shkurtuar.
Gjykatësi i Peruxhias vlerësoi ligjshëm arrestimin dhe e dënoi në 6 muaj burg si dhe 1,500 euro gjobë, duke mbyllur dosjen në një proces rekord për shkak të provave të qarta kundër tij.
