Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se projektet infrastrukturore të viteve të fundit janë përdorur për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike.
Gjatë një takimi me Departamentin e Infrastrukturës në selinë e PD, Berisha u ndal te disa projekte rrugore dhe hekurudhore, duke thënë se në shumë raste investimet janë bërë vetëm për përfitime financiare.
Ai përmendi edhe projektin e tunelit të Llogarasë, për të cilin tha se është ndërtuar me një kosto shumë të lartë dhe me përfitime të kufizuara për transportin.
“U investua në mënyrën më antiekonomike, 220 milionë euro në tunelin e Llogarasë, që shkurton vetëm 13 minuta rrugë. U ndërtua vetëm për të futur në xhep me një të rënë të lapsit 50 milionë euro,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, gjatë 12 viteve të fundit janë shpenzuar miliarda euro për infrastrukturën, por shumë nga projektet kanë pasur probleme me cilësinë dhe zbatimin.
Berisha akuzoi qeverinë se ka ndarë projektet publike në lote të ndryshme për të rritur kostot dhe për të favorizuar kompani të caktuara.
Ai shtoi se opozita po përgatit një program të ri për zhvillimin e infrastrukturës në vend, duke theksuar se përgjegjësit për abuzimet me fondet publike do të duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.
