Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg Marjo Përlleshajn, autorin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje tragjike e ndodhur një vit më parë pranë gjimnazit “Fan Noli”. Përlleshaj goditi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin e tij, duke tronditur familjen, shkollën dhe opinionin publik.
Reagimi i babait të viktimës
Pas shpalljes së vendimit, babai i Martin Canit u shpreh se asnjë dënim nuk mund ta zbusë humbjen e familjes.
“Dhimbja jonë është e madhe dhe nuk krahasohet, sikur të dënohej edhe me burgim të përjetshëm. Ngjarjen e ka parë e gjithë Tirana. Shkolla nuk ka kërkuar as pendesë, asgjë.”
Ai theksoi se humbja e djalit ka shkatërruar familjen dhe asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta rikthejë atë që ka ndodhur.
Avokati i familjes: Drejtësia u vendos, por beteja ligjore vazhdon
Avokati i familjes Cani deklaroi se vendimi i sotëm është një hap i rëndësishëm, por procesi nuk përfundon këtu.
“Ne do të ndjekim çdo të drejtë ligjore në instancat më të larta. I pandehuri është dënuar për dy vepra penale dhe mori vetëm 16 vite burg. Sot gjykata bëri drejtësi, por ne do të presim zbardhjen e plotë të vendimit.”
Sipas tij, rasti ka qenë shumë i rëndë dhe gjykata e ka trajtuar me seriozitetin e duhur, por familja kërkon një hetim të gjithanshëm për të gjitha rrethanat që çuan në tragjedinë e 14-vjeçarit.
