Pas ndarjes nga jeta të 15-vjeçarit që u godit me thikë në zemër në fund të nëntorit, Spitali Rajonal i Durrësit ka reaguar publikisht për të sqaruar pretendimet e qarkulluara se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të kryer më 25 nëntor ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Në deklaratën zyrtare thuhet se pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe personelin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë trajtimit të adoleshentit.
Sipas spitalit, sistemi i furnizimit me energji është i mbrojtur me gjenerator automatik dhe pajisje rezervë:
“Gjeneratori aktivizohet menjëherë në rast të luhatjeve dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme që garantojnë funksionimin e pandërprerë,” thuhet në njoftim.
Po ashtu sqarohet se edhe ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë mirëmbajtjeje që siguron ndërhyrje të menjëhershme në rast defektesh.
Gjendja e pacientit sipas spitalit
Në deklaratë, Spitali i Durrësit thekson se i mituri është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik-hemorragjik, si pasojë e plagëve të marra në kraharor.
“Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë me procedura emergjente, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet që u zhvilluan ishin pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik,” nënvizohet në reagim.
Spitali shpreh ngushëllimet për familjen dhe thekson se po bashkëpunon me institucionet përkatëse për sqarimin e plotë të ngjarjes së rëndë.
