Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e paralajmëroi presidentin e ri të SHBA-së, Donald Trump, që të mos nisë një luftë tregtare me Evropën duke sinjalizuar edhe gatishmërinë e saj për të negociuar. “Në botë nuk ka ekonomi të tjera që janë aq të ndërthurura sa tonat,” tha ajo në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Kompanitë evropiane punësojnë 3.5 milionë amerikanë në SHBA. Po ashtu një milion vende të tjera amerikane pune varen drejtpërdrejt nga tregtia me Evropën. “Vëllimi i tregtisë mes nesh arrin në 1.5 trilion euro, që korrespondon me 30 për qind të tregtisë botërore. Të dyja palët do të rrezikonin shumë,” tha von der Leyen.
Tarifa të larta për importet
Gjatë fushatës zgjedhore Trumpi njoftoi se synon të vendosë tarifa të reja prej 10 deri në 20 për qind për importet. Madje për mallrat kineze kjo tarifë duhet të shkojë deri në 60 për qind. Ai dëshiron ta përdorë këtë për të forcuar SHBA-në si një vend prodhimi dhe për të ulur deficitin tregtar.

Trumpi i ka halë në sy faktin që kompanitë evropiane shesin dukshëm më shumë mallra në SHBA sesa kompanitë amerikane në BE.
