Zona veriore e Shqipërisë ofron pasuri të shumta natyrore për zhvillimin e turizmit, kryesisht atij malor. Një prej tyre është edhe Lugina e Drinit, e cila përshkolet mes Alpeve, ku gjatë dy-tre vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në fushën e turizmit rreth 70 biznese, kryesisht nga banorët vendas. Por, siç njofton Zërit i Amerikës problem mbetet gjendja e rrugës automobilistike që shkon drejt Komanit dhe mbeturinat që derdhen në liqen
Lugina e Drinit, me tre liqenet e saj dhe majat e Alpeve, ofron një potencial turistik që sa ka nisur të shfrytëzohet nga operatorët turistik privat, por edhe banorë të zonës, të cilët kanë hapur bujtinat dhe qendrat e para turistike për vizitorët vendas dhe të huaj.
Por, krahas tyre, në zonë janë shfaqur edhe problematikat e para, siç janë vështirësitë e udhëtimit dhe mbeturinat, të cilat shfaqen herëpashere mbi sipërfaqen e ujit, sidomos në Liqenin e Komanit.
Rruga e Komanit, me një gjatësi prej rreth 36 kilometrash, e cila nis nga qyteza e Laçit në Vau Dejës për të përfunduar në tunelin e Komanit, është një nga rrugët më të dëmtuara në Shqipëri, e cila nuk ofron siguri rrugore për dhjetëra automjete që lëvizin çdo ditë nëpër këtë aks të rëndësishëm rrugor duke transportuar banorë të zonës së Alpeve, por edhe turistë që shkojnë drejt pikave turistike si ajo e Lumit të Shalës, Valbonës si dhe qytetit Bajram Curri e deri në Gjakovë.
