Protesta kundër kryeministrit Edi Rama vijoi edhe këtë mbrëmje në Tiranë, ku pjesëmarrësit marshuan në rrugët e kryeqytetit duke përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike.
Tubimi nisi në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë dhe në disa akse të tjera të qytetit.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Arrestoni Ballukun”, “Shqipëri e Re” dhe “Revolucion”, ndërsa protestuesit mbajtën edhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë.
Pavarësisht reshjeve të shiut dhe motit të paqëndrueshëm, pjesëmarrësit qëndruan në protestë për disa orë, duke deklaruar se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vazhdim.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë, ndërsa kanë paralajmëruar edhe një tubim tjetër në fundjavë, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, së bashku me kërkesa të tjera për ndryshime në qeverisje dhe reforma politike.
