Avokatja Adriana Kalaja ka ngritur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet përballë një modeli të konsoliduar ku drejtësia është kapur politikisht dhe përdoret për të goditur kundërshtarët e kryeministrit Edi Rama.
E ftuar në një studio televizive, Kalaja u ndal te vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke shprehur bindjen se vendimmarrja do të jetë në favor të Këshillit të Ministrave dhe interesave personale të kryeministrit. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për një konflikt real institucional, por për mbrojtje politike të një figure kyçe të qeverisë.
Kalaja theksoi se edhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim kundër qeverisë, Rama ka treguar se nuk zbaton vendimet që nuk i përshtaten interesave të tij, duke përmendur precedentë si Teatri Kombëtar dhe çështja e mandatit të Olta Xhaçkës.
Një tjetër pikë e fortë e kritikës ishte trajtimi selektiv nga SPAK. Sipas Kalasë, ndërsa krerët e opozitës arrestohen, mbahen në burg ose në arrest shtëpie pa u shpallur të pandehur, për Belinda Ballukun – e shpallur zyrtarisht e pandehur – u kërkuan masa të lehta sigurie, pavarësisht rrezikut të prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve të ngritur nga vetë prokuroria.
Ajo e cilësoi këtë qasje si një “bumerang” për SPAK-un, që sipas saj po ekspozon standarde të dyfishta dhe po humbet besueshmërinë publike. Kalaja shtoi se reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut nuk kishin si qëllim krijimin e një sistemi të pavarur, por ndërtimin e një mekanizmi të kontrollueshëm nga kryeministri për të eliminuar kundërshtarët politikë.
Si shembull, ajo përmendi rastin e gjyqtares Irena Gjoka, duke pretenduar se përzgjedhja dhe kalimi i saj në vetting, pavarësisht problematikave serioze në pasuri, integritet dhe profesionalizëm, dëshmon kapjen e sistemit dhe deformimin e reformës.
Sipas Kalasë, të gjitha këto raste nuk duhen parë të ndara, por si pjesë e një zinxhiri të vetëm ku drejtësia, politika dhe interesat oligarkike bashkëveprojnë për të mbajtur pushtetin, ndërsa opozita goditet me masa ekstreme dhe selektive.
