Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar çmimet e larta të biletave për ndeshjet e Kupa e Botës 2026, duke deklaruar se edhe ai vetë nuk do t’i paguante ato shifra.
Në një intervistë telefonike për New York Post, Trump tha se nuk ishte në dijeni të çmimeve të publikuara për ndeshjen hapëse të kombëtares amerikane ndaj Paraguajit, ku biletat më të lira për shumicën e tifozëve raportohet se nisin nga 1,120 dollarë.
“As unë nuk do t’i paguaja, të jem i sinqertë”, u shpreh Trump.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi presidenti i FIFA, Xhiani Infantino, mbrojti politikën e çmimeve për Botërorin 2026, ku për herë të parë do të përdoret sistemi i çmimeve dinamike. Ky model lejon që çmimet e biletave të rriten ose ulen në varësi të kërkesës në treg.
Infantino argumentoi se FIFA duhet të përshtatet me tregun amerikan të argëtimit, ku çmimet për evente të mëdha sportive dhe kulturore janë zakonisht të larta.
Trump, megjithatë, tha se do të zhgënjehej nëse tifozët e zakonshëm nga zona si Queens dhe Brooklyn nuk do të mund të përballonin financiarisht ndjekjen e ndeshjeve në stadium.
“Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësi të ndiqnin ndeshjet nga afër”, deklaroi ai.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa debati për çmimet e biletave pritet të mbetet një nga temat më të diskutuara në prag të turneut.
