Miliona euro në asfalt që shembet/ Si u shndërruan investimet publike në skemë grabitjeje

Data

Shembjet e përsëritura të rrugëve, tuneleve dhe veprave të tjera infrastrukturore, të ndërtuara me kosto marramendëse nga fondet publike, po ekspozojnë një realitet alarmant: investimet shtetërore në Shqipëri nuk po dështojnë rastësisht, por si pasojë e një modeli të qëndrueshëm abuzimi dhe korrupsioni.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thekson se problemet nisin që nga projektimi i dobët, shpesh pa studime gjeologjike dhe pa verifikim real në terren, vazhdojnë me supervizion fiktiv dhe përfundojnë me kolaudime formale për qëllime elektorale. Në shumë raste, projektet hartohen vetëm për të justifikuar kontrata të fryra dhe për të favorizuar kompani të lidhura politikisht.

Sipas tij, supervizorët dhe ndërtuesit shpesh veprojnë në konflikt interesi, ndërsa situacionet e punimeve fryhen për të justifikuar pagesa që nuk përputhen me realitetin. Fondet publike përdoren për pasurim privat, ndërsa cilësia sakrifikohet në funksion të fitimit maksimal dhe korrupsionit.

Edhe mirëmbajtja rezulton kryesisht “në letër”. Kontratat paguhen, por ndërhyrjet reale mungojnë, duke e kthyer çdo reshje shiu apo bore në justifikim për fonde të reja emergjente. Në këtë mënyrë, dëmi shumëfishohet dhe barra bie gjithmonë mbi taksapaguesit.

Preçi e cilëson këtë situatë si provë të kapjes së shtetit nga interesa private, oligarkë dhe segmente të krimit të organizuar, ku investimet publike shërbejnë për të ushqyer një rreth të mbyllur pushteti dhe biznesi. Sipas tij, të paktën gjysma e fondeve të alokuara për infrastrukturën gjatë dekadës së fundit nuk janë investuar realisht, por janë zhdukur përmes kontratave të fryra, vonesave të qëllimshme dhe projekteve fantazmë.

Ndërsa rrugët shemben dhe paratë humbasin, përgjegjësia politike dhe penale mbetet ende pa autor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related