Gjykata Kushtetuese ka marrë mbrëmjen e sotme vendimin për kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me masën e sigurisë “pezullim nga detyra” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Vendimi vjen pas një seance maratonë, ku gjyqtarët e Kushtetueses qëndruan të mbyllur në Dhomën e Këshillimit që prej orës 11:00 të paradites, duke u larguar vetëm për pak minuta gjatë drekës. Kjo ishte mbledhja e tretë radhazi për çështjen Balluku, pasi dy seancat e mëparshme ishin shtyrë për shkak të kërkesave për më shumë kohë nga disa anëtarë të gjykatës.
Çështja konsiderohet me interes të jashtëzakonshëm publik, pasi lidhet drejtpërdrejt me rikthimin ose jo në detyrë të zëvendëskryeministres, si dhe me ecurinë e hetimeve penale të nisura nga SPAK për dyshime mbi keqpërdorime në tenderë të mëdhenj publikë.
Sipas informacioneve të bëra publike, vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut. Ligji nuk lejon vendosjen e më shumë se dy masave të sigurisë ndaj një personi, çka do të thotë se çdo vendim i Kushtetueses mund të detyrojë Prokurorinë e Posaçme të rishikojë masat aktuale.
Në rast se pezullimi nga detyra do të konsiderohej antikushtetues, ndaj Ballukut do të mbetej vetëm masa e ndalimit për daljen jashtë vendit, duke e bërë juridikisht të hapur rrugën për kërkesën e arrestimit. Ndërsa nëse pezullimi do të lihej në fuqi, SPAK do të duhej të hiqte dorë nga një prej masave të tjera të sigurisë.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë pasoja të forta politike dhe institucionale, duke ndikuar jo vetëm në fatin personal të Belinda Ballukut, por edhe në raportet mes qeverisë, drejtësisë dhe procesit të integrimit europian.
