Një panel gjyqtarësh federalë në Gjykatën Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare ka vendosur se Presidenti Donald Trump ka shkelur ligjin duke vendosur tarifa doganore prej 10 për qind për shumicën e importeve në Shtetet e Bashkuara.
Vendimi përbën një tjetër goditje për administratën Trump në përpjekjet për të zhvilluar një luftë tregtare pa autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.
Në vendimin me shumicë votash, gjyqtarët arritën në përfundimin se Trump kishte përdorur në mënyrë të papërshtatshme një ligj të vjetër tregtar për të justifikuar vendosjen e tarifave, të cilat nisën të zbatoheshin që në muajin shkurt.
Presidenti amerikan i kishte vendosur këto tarifa pasi një raund i mëparshëm masash ndëshkuese tregtare ishte rrëzuar më herët nga Gjykata e Lartë.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm ligjorë të administratës amerikane, duke qenë se Shtëpia e Bardhë i ka konsideruar tarifat e përgjithshme si një masë të përkohshme për të fituar kohë në ndërtimin e një politike të re tregtare.
Një ditë më parë, Trump zhvilloi edhe një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku në fokus ishin negociatat tregtare dhe çështja e Iranit.
Në një reagim në rrjetin “Truth Social”, Trump deklaroi se pret që Bashkimi Europian të përmbushë detyrimet e marrëveshjes tregtare të arritur në Turnberry të Skocisë.
“Kam pritur me durim që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes historike tregtare. Në të kundërt, tarifat do të rriten ndjeshëm”, shkroi Trump.
Ai paralajmëroi se Bashkimi Europian ka afat deri më 4 korrik, në 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara, për të respektuar angazhimet tregtare.
