Kushtetuesja i mbyll derën Ramës: Pezullimi i Belinda Ballukut mbetet në fuqi

Data

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe ka lënë në fuqi masën e sigurisë “pezullim nga ushtrimi i detyrës” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në mbledhjen e datës 06.02.2026, Gjykata shqyrtoi kërkesën e Kryeministrit, i cili pretendonte një konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme, si dhe kërkonte shfuqizimin e vendimeve që kishin vendosur dhe vazhduar pezullimin e Ballukut nga detyra.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 e Kushtetutës, në lidhje me nenin 73, dhe se ky imunitet nuk përfshin mbrojtje nga masa e pezullimit nga detyra. Sipas gjykatës, ministrat, ashtu si çdo funksionar tjetër publik, i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen përgjegjës nëse dyshohet se e kanë shkelur atë.

Gjykata thekson se parimi i shtetit të së drejtës, epërsia e Kushtetutës dhe ndarja e pushteteve janë themele të rendit kushtetues dhe se as pushteti ekzekutiv nuk përjashtohet nga kontrolli gjyqësor.

Gjatë shqyrtimit, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy interpretime mbi nevojën ose jo të autorizimit paraprak të Kuvendit për masën e pezullimit nga detyra. Megjithatë, Gjykata nuk arriti shumicën e cilësuar të nevojshme për të pranuar kërkesën e Kryeministrit, duke bërë që ajo të rrëzohet.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi:

  • Rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit
  • Lënien në fuqi të masës së pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun
  • Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare

Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm kushtetues, duke forcuar parimin se asnjë funksionar i lartë i qeverisë nuk është mbi ligjin, si dhe duke i dhënë peshë të plotë veprimeve të drejtësisë ndaj anëtarëve të ekzekutivit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related