“Po shkelen të drejtat e gjyqtarëve”/ KLGJ alarmon: Rritet trysnia politike, të respektohet pavarësia e drejtësisë

Data

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ashpër pas debateve të fundit publike, veçanërisht atyre që lidhen me çështjen e pagave të gjyqtarëve, duke ngritur alarmin për rritjen e presionit dhe trysnisë ndaj sistemit gjyqësor.

Përmes një njoftimi zyrtar, KLGJ thekson se deklarata të caktuara nga persona me ndikim publik po shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës dhe po rrezikojnë seriozisht pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Sipas KLGJ-së, kritikat dhe opinionet janë të mirëpritura në një shoqëri demokratike, por kohët e fundit është vënë re një rritje shqetësuese e trysnisë ndaj gjyqtarëve, e cila jo vetëm cenon figurën dhe dinjitetin e tyre, por edhe minon funksionimin normal të drejtësisë.

“Këto qëndrime dhe deklarata shkojnë përtej debatit publik dhe përbëjnë një rrezik real për kryerjen e funksioneve ligjore të gjyqtarëve”, thuhet në reagim.

Këshilli rithekson se gjyqtarët janë garantues të barazisë përpara ligjit dhe se ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur, i çliruar nga çdo formë presioni apo ndikimi politik, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjit.

Në reagim nënvizohet gjithashtu roli i medias në informimin e publikut, por KLGJ kërkon që kjo të bëhet duke respektuar dinjitetin e gjyqtarëve dhe institucioneve, pa përdorur gjuhë apo imazhe fyese që dëmtojnë figurën e drejtësisë.

Në përfundim, Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje të gjitha subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës, duke theksuar se çdo kundërshtim ndaj një vendimi gjyqësor duhet të ndjekë vetëm rrugët ligjore dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related