Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në zonën e Treshit në Tiranë, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në një kryqëzim me semafor, në momentin kur drita për automjetet ka kaluar në jeshile.
Sipas informacionit të siguruar nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë në vendngjarje, një drejtues mjeti i kishte dhënë disa monedha të miturit, të cilat i kishin rënë në tokë. Fëmija është kthyer për t’i mbledhur, duke dalë para automjetit pikërisht në çastin kur semafori ka sinjalizuar nisjen e lëvizjes për makinat.
Automjeti i parë ka lëvizur, ndërsa goditja fatale dyshohet se është shkaktuar nga makina e dytë që ndodhej pas tij, ku i mituri ka përfunduar poshtë rrotave. Njëri prej drejtuesve ka ndaluar menjëherë pasi ka dëgjuar thirrjet e qytetarëve, ndërsa drejtuesja e automjetit tjetër është larguar nga vendi i ngjarjes.
Fëmija është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë. Fillimisht, drejtuesi i automjetit të parë ka deklaruar se nuk e kishte përplasur ai të miturin, por se kishte reaguar pasi kishte dëgjuar zhurmën dhe thirrjet e kalimtarëve.
Zbardhja e plotë e dinamikës është bërë pas analizimit të pamjeve filmike, të cilat kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë momentet e fundit përpara aksidentit. Sipas burimeve paraprake, i mituri dyshohet se ndodhej në rrugë duke kërkuar lëmoshë në momentin e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të drejtuesve të mjeteve dhe për të sqaruar çdo rrethanë që çoi në këtë tragjedi që ka tronditur opinionin publik.
