Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se qytetarët duhet të bashkohen kundër asaj që ai e cilëson si regjim dhe të rrëzojnë kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë publike, Berisha paralajmëroi se së shpejti do të organizohet një tryezë e përbashkët me forcat politike dhe faktorë të shoqërisë civile.
Sipas Berishës, refuzimi i kryeministrit për të pranuar një qeveri teknike lidhet drejtpërdrejt me çështje të rënda hetimore. Ai u shpreh se dosja e znj. Balluku dhe ajo e AKSHI-t janë, në thelb, dosje që implikojnë vetë kryeministrin.
“Rama nuk pranon heqjen e mandatit sepse e di shumë mirë se dosja Balluku është dosja Rama dhe dosja AKSHI është dosja Rama. Ai e di që Gerond Mece u mor peng për të favorizuar familjarë, duke u dhënë qindra milionë përmes vendimeve abuzive,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se nuk pranon të zbatojë vendimet e drejtësisë dhe se vendi ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë: ose qytetarët do të pranojnë një regjim autoritar, ose do të reagojnë për ta rrëzuar atë.
Berisha theksoi se beteja që po përgatitet është vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri dhe se tryeza e përbashkët do të shërbejë si hap i parë për koordinimin e veprimeve kundër qeverisë aktuale.
