Ish-përfaqësuesi i presidentit Donald Trump për dialogun dhe ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, është emëruar përfaqësues presidencial për misione të posaçme ndërkombëtare.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, pa dhënë më tej sqarime për përgjegjësitë e këtij pozicioni. Grenell ka thënë se për të është nder i madh që i është besuar ky post. Por një burim nga ekipi i transicionit i Trumpit tha për agjencinë Reuters se Grenell do të fokusohet gjithashtu te tensionet në Ballkan.
Njohësit e çështjeve politike shprehin mendime të ndryshme sa i përket nivelit të përfshirjes së tij edhe në dialogun Kosovë- Serbi.
“Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mendoj se nuk është pyetja se a do të përfshihet, por kur do të përfshihet, sepse për shkak të përvojës së tij nga mandati i kaluar mendoj se domosdoshmërisht që do të përfshihet, por orientimisht mendoj që do të jetë pas përfundimit të dy krizave globale: luftës në Gaza dhe asaj në Ukrainë – ku edhe fokusi amerikan do të mund të rikthehej drejt dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, – ka deklaruar Artan Muhaxhiri.
Ndërsa Albinot Maloku ka deklaruar se Grenellin e sheh më të angazhuar në vatrat e luftës.
“Më shumë e shoh të angazhuar në ato pikat e nxehta, në vatra të nxehta të luftës sesa në Ballkan. Gjithsesi se do ta japë kontributin e tij nisur nga përvoja e tij në Ballkan, mirëpo nuk e shoh që do ta ketë angazhimin thelbësor në çështjet e Ballkanit duke i parë të gjitha këto vatra të nxehta lufte që janë duke ndodhur nëpër botë”, ka deklaruar Maloku.
E në rast të përfshirjes së tij të madhe në dialog, ata presin që ai ta reflektojë disponimin e administratës Trump.
“Nuk prezanton ambasadori Grenell kërcënim të pozicionit të Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, që është interesi ynë thelbësor, mirëpo do të jetë punonjës me eksperiencën e tij në administratën e re amerikane që angazhimin e tij do ta ketë për detyrë ta kryejë në vatrat e nxehta. Gjithsesi, këshillat e tij për Ballkanin Perëndimor do të jenë të mirëseardhura, politika e presidentit Trump do të jetë ajo me ndryshime gjithsesi – jo krejtësisht siç ka qenë dhe unë nuk e shoh në asnjë mënyrë kërcënim në mes të raporteve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës çfarëdo pozicioni, e lëre më këtë pozicion që republika e Kosovës, për Ballkanin nuk do ta ketë vendin kryesor”, ka theksuar ai, derisa Muhaxhiri u shpreh se administrata Trump “s’i pranojnpërgjigjet negative”.
