Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji foli në Kuvend edhe në emër të grupit parlamentar të grave të PD, duke prezantuar tre amendamente. Gjergji e nisi fjalën me një kujtesë për Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, ndërsa roli i shoqërisë sipas saj duhet të jetë më proaktiv në drejtim të këtij komuniteti.
“Në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, është koha kur shoqëria shqiptare duhet të jetë më proaktive në mbështetjen e këtij komuniteti që nuk kërkon mëshirë, por dinjitet dhe mundësi. Por, të jetosh me një aftësi ë kufizuar në Shqipëri do të thotë të kesh kurajën dhe guximin për të kapërcyer çdo vështirësi. Është për të ardhur keq që ne po hyjmë në vitin 2025, po miratojmë buxhetin dhe jemi kaq mbrapa në krijimin e kushteve dhe mundësive për këtë komunitet, që ka potencialin, por nuk e shpreh dot. Është koha të kemi një vëmendje më të shtuar ndaj këtij komuniteti. Sot PD po propozon disa amendamente që kanë të bëjnë me jetën dhe hallet tuaja, edhe pse qeveria e ka gati refuzimin dhe në këtë orë që voton. Si përfaqësues të zgjedhur, do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë deri në fund”, tha Gjergji.
