Ai mund të njihet më mirë nëpër botë si babai i kompanive Tesla dhe SpaceX. Por pas pak muajsh, Elon Musk pritet të merret me shpenzimet e qeverisë amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti shpjegon se çfarë aftësish do të sjellë zoti Musk në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë.
“Do t’jua heqim qeverinë nga kurrizi dhe xhepat tuaja”, deklaroi zoti Musk.
Agjencia e re DOGE synon të shkurtojë rreth 2 trilionë dollarë shpenzime, pra rreth një të tretën e buxhetit të qeverisë, dhe tre të katërtat e punonjësve të qeverisë.
“E ardhmja do të jetë mahnitëse!”, tha Musk.
Ai dhe bashkëkryetari i agjencisë së re DOGE-s, sipërmarrësi miliarder Vivek Ramaswamy, pritet të ndjekin një proces të ngjashëm dhe të eliminojnë shumë rregullore federale. Për të reduktuar kostot, entiteti i ri DOGE do të sugjerojë mbylljen e disa agjencive dhe do të ndërmarrë hapa për të nxitur dorëheqjet masive të punonjësve federalë duke i dhënë fund programeve popullore të punës në distancë dhe duke zhvendosur disa zyra jashtë Uashingtonit.
“Do t’u duhet të mësojnë dhe të kuptojnë se presidenti nuk është mbret – ose të paktën nuk supozohet të jetë në këtë vend – dhe se do të përballen me probleme kushtetuese. Do të përballen me ligjet dhe nevojën për autorizim nga Kongresi”, thotë sindikalisti Steve Lenkart, nga Federata Kombëtare e Punonjësve Federalë.
