Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk e pranon mundësinë që djali i liderit të ndjerë iranian, Mojtaba Khamenei, të marrë drejtimin e Iranit, duke kërkuar që edhe Shtetet e Bashkuara të përfshihen në procesin e zgjedhjes së udhëheqësit të ri të vendit.
Në një intervistë për mediat amerikane, Trump u shpreh se kandidatura e Mojtaba Khameneit është e papranueshme për të dhe se Irani duhet të ketë një lider që të sjellë stabilitet dhe paqe në vend.
“Po humbasin kohën kot. Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua. Ne duam dikë që do të sjellë harmoni dhe paqe në Iran”, u shpreh Trump.
Ai shtoi gjithashtu se dëshiron të ketë rol në procesin e përzgjedhjes së liderit të ri iranian, duke e krahasuar këtë me ndikimin që, sipas tij, SHBA pati në zhvillimet politike në Venezuelë.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, pas zhvillimeve të fundit ushtarake dhe pas vdekjes së liderit suprem iranian Ali Khamenei gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë shpallur zyrtarisht pasardhësin e ri të liderit suprem, ndërsa emri i Mojtaba Khameneit përmendet si një nga kandidatët kryesorë për këtë post.
