Drejtues dhe pronarë autobusësh u mblodhën këtë të martë para ambienteve të Vlores, duke kundërshtuar vendndodhjen e terminalit të ri të autobusëve që parashikohet të ndërtohet në hyrje të qytetit.
Protestuesit kërkuan të futeshin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të shprehur drejtpërdrejt kundërshtimet e tyre, por u ndaluan nga Policia Bashkiake. Situata u tensionua kur disa prej tyre tentuan të hynin me forcë në sallë, çka solli ndërhyrjen edhe të Policisë së Rendit.
Aktualisht, pronarët e autobusëve vijojnë të qëndrojnë jashtë godinës së këshillit, në pritje të një vendimi për t’u lejuar ose jo pjesëmarrja në mbledhje.
Një prej përfaqësuesve të tyre theksoi se kundërshtimi nuk lidhet me ndërtimin e një terminali, por me vendndodhjen e zgjedhur nga bashkia.
“Ne nuk jemi kundër terminalit, por kundër vendit ku duan ta çojnë. Kërkojmë një zgjidhje brenda kuadrit ligjor, që t’i shërbejë qytetarëve dhe transportit publik. Zona e propozuar është shumë larg, urbanët nuk shkojnë dhe aty do të lulëzojnë mjetet e palicencuara,” u shpreh ai.
Protestuesit paralajmëruan përshkallëzim të reagimit, duke deklaruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vijojnë dhe nuk përjashtohet edhe bllokimi i rrugëve.
