Zvicra ka shpallur pesë ditë zie kombëtare pas tragjedisë së rëndë që goditi vendpushimin alpin të skive Crans-Montana, ku një zjarr vdekjeprurës në një bar gjatë natës së ndërrimit të viteve i mori jetën 40 personave dhe la mbi 100 të plagosur.
Autoritetet zvicerane bëjnë me dije se hetuesit po punojnë intensivisht për identifikimin e viktimave, një proces që pritet të zgjasë ditë apo edhe javë, për shkak të gjendjes së rëndë të trupave. Ende nuk dihet saktësisht numri i personave që ndodheshin në ambient në momentin e shpërthimit të zjarrit.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e cilësoi ngjarjen si një nga më traumatike në historinë e vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për një dramë të paprecedentë që ndërpreu jetën, ëndrrat dhe planet e shumë të rinjve. Ai u shpreh se shteti ka detyrimin moral të sigurojë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më.
Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit në barin “Le Constellation”. Shkaqet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por disa dëshmitarë kanë deklaruar se gjithçka mund të ketë nisur pas përdorimit të fishekzjarreve dhe shkëndijave të vendosura në shishe shampanje.
Kryeprokurorja e kantonit, Beatrice Pilloud, deklaroi se janë angazhuar burime të mëdha për identifikimin e viktimave dhe kthimin e trupave pranë familjarëve sa më shpejt të jetë e mundur. Ajo theksoi se hetimi do të sqarojë rrethanat e sakta të ngjarjes, si dhe nëse lokali përmbushte standardet e sigurisë dhe kapacitetin e lejuar për numrin e klientëve.
Hetimet vijojnë, ndërsa e gjithë Zvicra ndodhet në zi për jetët e humbura në këtë tragjedi.
