Vetëm 14.8% e shqiptarëve mbi moshën 15 vjeç kanë arritur të kursejnë para në banka ose institucione të tjera financiare, duke e renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Europë pas Moldavisë. Të dhënat vijnë nga baza globale Findex e Bankës Botërore, bazuar në një anketë të zhvilluar gjatë vitit 2024 në vendin tonë.
Niveli i kursimeve në Shqipëri mbetet dukshëm më i ulët jo vetëm krahasuar me Bashkimin Europian, por edhe me vendet e rajonit. Në Maqedoninë e Veriut, 32.4% e popullsisë mbi 15 vjeç arriti të kursejë gjatë vitit të kaluar, gati dyfishi i nivelit në Shqipëri. Në Serbi, mbi 26% e popullsisë kishte kursime, në Bosnje rreth 24%, ndërsa në Kosovë afërsisht 16%.
Në vendet e Bashkimit Europian, mbi 55% e popullsisë arrin të ndajë para për kursime, duke e vendosur Shqipërinë në të njëjtin grup me shumë vende të Afrikës dhe Azisë Jugore për sa i përket aftësisë për të kursyer.
Të dhënat tregojnë se pabarazia në të ardhura ndikon ndjeshëm në mundësinë për kursime. Rreth 40% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta kanë kapacitet shumë të kufizuar për të kursyer, ku vetëm 4.3% e tyre arrijnë të depozitojnë para në bankë. Ndërsa në grupin e 60% të popullsisë me të ardhura më të larta, aftësia për të kursyer rritet në 21.7%.
Aftësia për kursim është veçanërisht e ulët tek grup-moshat e reja dhe në zonat rurale, krahasuar me zonat urbane. Pavarësisht rritjes së aksesit në shërbime bankare dhe përmirësimit të ndërgjegjësimit financiar gjatë dekadës së fundit, ekonomia shqiptare vijon të dominohet nga përdorimi i parasë cash dhe nga prania e lartë e informalitetit.
Një nga arsyet kryesore mbetet niveli i ulët i të ardhurave. Për shumicën e familjeve shqiptare, të ardhurat mujore mezi mbulojnë shpenzimet bazë si ushqimi, qiraja, energjia dhe shërbimet e përditshme, duke lënë shumë pak ose aspak hapësirë për kursime.
Ndërkohë, rritja e çmimeve ka qenë më e shpejtë sesa rritja e pagave. Në vitin 2024, Shqipëria kishte çmime më të larta për ushqimet krahasuar me rajonin dhe disa vende të BE-së, ndërsa pagat mbeten ndjeshëm më të ulëta. Inflacioni i viteve të fundit ka ulur fuqinë blerëse dhe ka vështirësuar edhe më tej mundësinë për të kursyer, madje edhe për ata që më parë arrinin ta bënin këtë.
