Në një intervistë për podkastin “Të Pashoq”, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, u shpreh se nuk ka asnjë pishman për vendimin e tij për përjashtimin e liderit demokrat Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, duke theksuar se e ka marrë “për një interes të madh publik dhe politik”.
Basha gjithashtu tha se vendimet që mori më 9 shtator erdhën pas një periudhe të gjatë bisedimesh me Sali Berishën për të ruajtur interesat e PD-së, por pa gjetur një zgjidhje.
Ai tha se është gjithmonë “etik, mirënjohës dhe luajal”, por nuk ka pranuar kurrë të vendosë interesat personale mbi interesin publik. Sipas Bashës, Berisha edhe 10 jetë po të jetë, nuk gjen dot person më mirënjohës se ai.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Lulzim Basha: Si mund të bëhem pishman për një vendim të cilin e kam marrë me sakrificë të madhe për një interes të madh publik dhe politik. Sigurisht pishman duhet të bëhen ata të cilët kanë vendosur interesin e tyre personal, mbi interesin publik, mbi interesin e demokratëve dhe duke bërë këtë kanë vendosur edhe mbi interesin e Shqipërisë. Çka po shohim edhe pasojat sot gjithë ditën të një qeverisje të korruptuar deri në palcë, të kryeministrit më të papërgjegjëshëm që njeh Shqipëria që nga 1912-ta, që është produkt sigurisht i papërgjegjshmërisë 12 vjeçare dhe i lidhjeve me krimin të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Por është edhe nënprodukt i papërgjegjshmërisë dhe egoizmit të individëve të caktuar në opozitë.
