Polica e Vlorës së fundmi ka evidentuar bazë armësh të sofistikuara në Babicë të Vlorës me ç’rast ka arrestuar një prej personave të kërkuar duke zbuluar edhe grupin kriminal ku bën pjesë.
Lidhur me këtë gazetari Xhevahir Zhabina, tha në një studio televizive, se aksioni është për tu përshëndetur porse grupet kriminale në Vlorë janë në konflikte të rënda me njeri-tjetrin dhe mund të prodhojnë ngjarje më të rënda në vijim.
“Mendoj se për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur në Vlorë kohëve të fundit, që nga vrasja me snajper ne janar, tentativa për ta pasur ngjarje kriminale, pastaj arrestimi i një personazhi Çikur, kam përshtypjen se policia e Vlorës, prandaj është kaq alert në këto momente, se nuk është baza e vetme kapur në Vlorë muajt e fundit.
Ky operacion i policisë është i rëndësishëm për arsye të zhvillimeve që kanë ndodhur në Vlorë, por unë ngre pikëpyetjen sesa do të jetë eficente Polica për të mbajtur nënë kontroll situatën që është në Vlorë që është gati të shpërthej nga momenti ne moment për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur atje.
Vlora është fuçi baruti, që mund të shpërthej, prandaj këto operacione janë të rëndësishme por grupet kriminale në Vlorë janë shumë në konflikt të rëndë me njëri tjetrin dhe mund të prodhojnë ngjarje shumë më të rënda sesa ajo e fillimit te janarit.”, tha Zhabina.
