Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme se si kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Ilir Beqaj implikohen drejtpërdrejt në koncesionin abuziv të sterilizimit, duke iu referuar emisionit “Plug”, teksa sipas saj, prej vitesh po vidhen miliona euro nga lekët e taksapaguesve shqiptarë.
Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja e Anti-Korrupsionit në PD Genta Vangjeli renditi 5 fakte, duke përfshirë nga rritja abuzive e kostove, mos plotësimi i kritereve nga kompania fituese, përjashtimi i operatorëve të tjerë dhe shmanga e organeve shtetërore duke shkelur ligjin.
Vangjeli deklaroi më tej se në qershor të vitit 2023, GJKKO kërkoi prishjen e kontratës koncensionare, por vetë kryeministri Edi Rama doli garant për mos zbatimin e këtij vendimi të gjzkatës, duke reaguar publikisht se koncesioni do të vijonte.
Kujtojmë se për koncesionin abuziv të sterilizimit ndodhet në burg biznesmeni Ilir Rrapaj, ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj, teksa është marrë i pandehur dhe ish-ministri Ilir Beqaj.
