Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Vladimir Kosta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë u bëri thirrje investitorëve të huaj të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Në një reagim publik, Kosta shprehet kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, qeveria trajton pasurinë dhe pronën në vend, duke theksuar se ftesa për investime bie ndesh me realitetin në terren.
“Kemi një kryeministër që prish, dhunon dhe minon pasurinë që mezi është vënë nga bijtë e këtij vendi dhe, pa pikën e turpit, kërkon investitorë të huaj që të investojnë në Shqipëri”, shkruan Kosta.
Ai shton se mesazhi i qeverisë ndaj investitorëve nuk është i besueshëm për aq kohë sa, sipas tij, vetë shteti nuk garanton mbrojtjen e pronës dhe sigurinë juridike për qytetarët dhe bizneset.
Reagimi i ish-deputetit socialist vjen në një kohë kur deklaratat e kryeministrit për tërheqjen e investimeve të huaja po shoqërohen me kritika të forta, jo vetëm nga opozita, por edhe nga figura të lidhura më herët me mazhorancën.
