Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur akuza të rënda ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për sigurinë e pronave dhe të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.
Në një reagim publik, Shehaj deklaroi se AKSHI administron të gjitha informacionet më sensitive të qytetarëve, nga pronat dhe të dhënat biometrike, te shëndeti, gjobat, lëvizjet dhe transaksionet, duke theksuar se ky pushtet është kthyer në një armë të rrezikshme në duart e grupeve kriminale.
Sipas tij, hetimet e SPAK kanë zbuluar se përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash. Shehaj theksoi se bëhet fjalë për një skandal të paprecedent, pasi manipulimi i të dhënave të pronësisë cenon drejtpërdrejt sigurinë juridike të qytetarëve.
Ai solli edhe një shembull konkret, duke treguar shqetësimin e qytetarëve për faktin se të dhënat shëndetësore, përfshirë analizat mjekësore, janë të aksesueshme përmes sistemeve shtetërore. Sipas Shehajt, kjo provon se kontrolli mbi jetën private të qytetarëve është i plotë dhe i pakontrolluar.
“Kanë në dorë pronat tona, shëndetin tonë, lëvizjet tona dhe çdo informacion jetik për jetën e përditshme. SPAK thotë se drejtuesja e AKSHI-t është pjesë e një bande kriminale, ndërsa qeveria vazhdon ta mbajë në detyrë. Ky është një alarm kombëtar,” u shpreh Shehaj.
Në përfundim, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm institucional dhe publik, duke theksuar se situata përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe lirinë e çdo qytetari në Shqipëri.
