Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Lezhës pasditen e 19 dhjetorit, ku nënë e bir kanë humbur jetën brenda pak orësh.
Sipas informacionit paraprak, një 42-vjeçar u gjet pa shenja jete në ambientet e biznesit të tij në lagjen Gurra, rreth orës 19:30. Nga verifikimet e para nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale.
Pas marrjes së lajmit të rëndë, nëna e tij, 72 vjeçe, ka pësuar një gjendje të rënduar psikologjike. Më pas, ajo u gjet e pajetë nga familjarët në banesën e saj në fshatin Lalm i Ri, Lezhë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë mjekoligjore dhe përcaktimin e saktë të shkaqeve të humbjes së jetës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal, ku familja njihej gjerësisht, ndërsa pritet përfundimi i hetimeve zyrtare për sqarimin e plotë të rastit.
