Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në Kuvend lidhur me debatet për protestat që po zhvillohen për çështjen e Zvërnecit dhe investimet në zonë.
Gjatë fjalës së tij, Balla ironizoi kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar për ndryshim të qëndrimit në lidhje me protestat qytetare. Sipas Ballës, Berisha fillimisht pretendoi se protestat organizoheshin nga kryeministri Edi Rama për të larguar investitorët, ndërsa më pas deklaroi mbështetje për protestuesit.
“E paimagjinueshme sesi mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar brenda 72 orëve”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.
Ai komentoi gjithashtu praninë e protestuesve pranë selive të partive politike, duke dënuar grumbullimet para selisë së PS-së dhe PD-së. Sipas tij, veprime të tilla mund të nxisin përplasje mes qytetarëve dhe militantëve politikë.
Balla theksoi se investimi në zonën e Zvërnecit është një projekt privat i mbështetur ligjërisht dhe se shteti ka detyrimin të garantojë sigurinë juridike të investitorëve. Ai shtoi se pretendimet që lidhen me çështje etnike në Nartë janë të pabaza, duke theksuar se zona është pjesë e trashëgimisë historike shqiptare.
Debati për projektin në Zvërnec dhe protestat kundër tij vijon të mbetet një nga temat më të diskutuara në skenën politike dhe publike të vendit.
