Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga tensione dhe protesta të forta gjatë seancës së së enjtes, duke marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Media amerikane CNN publikoi pamje nga salla plenare, ku deputetët e opozitës u përfshinë në përplasje të ashpra lidhur me akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
Sipas raportimit, situata u përshkallëzua shpejt, ndërsa opozita akuzoi mazhorancën për mbrojtje politike të zyrtarëve të lartë. Nga ana e saj, Balluku i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra.
Protesta kulmoi brenda sallës së Kuvendit, ku deputetë të opozitës ndezën flakadanë dhe hodhën ujë në drejtim të kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke detyruar ndërprerjen e seancës dhe duke krijuar kaos në sallë.
Pas këtyre zhvillimeve, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste reagoi duke kërkuar përjashtimin deri në dy muaj të 29 deputetëve të opozitës, me argumentin se veprimet e tyre kanë cenuar rëndë rendin dhe funksionimin normal të institucionit më të lartë ligjvënës në vend.
Ngjarja pritet të thellojë më tej krizën politike, ndërsa debati publik dhe institucional mbetet i përqendruar te hetimet e SPAK dhe pasojat politike që mund të sjellin këto zhvillime.
