Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për Gëzim Bakallin (alias Shkëmbim Cërmanji) dhe Erjon Locin, të akuzuar si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Zvicrës.
Sipas vendimit, trupa gjykuese i shpalli fajtorë për veprat penale të trafikimit dhe prodhimit të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra të tjera të lidhura me falsifikimin e dokumenteve.
Gëzim Bakalli u dënua fillimisht me 19 vite burg, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht 12 vite e 8 muaj burgim, që do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë.
Erjon Loci u dënua fillimisht me 12 vite burg, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu reduktua në 8 vite burgim. Dënimi i tij llogaritet nga dita e arrestimit dhe do të vuhet po ashtu në burg të sigurisë së lartë.
Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, rezulton se të dënuarit kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike gjatë viteve 2018–2024, kryesisht drejt rajonit të Kantonit Solothurn në Zvicër. Lëndët narkotike dyshohet se siguroheshin nga Amerika Latine dhe Gjermania.
Sipas dosjes hetimore, Bakalli ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit të aktivitetit kriminal, ndërsa Loci ka ndihmuar në transportimin dhe shpërndarjen e drogës në disa episode të dokumentuara.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 1.400 kilogramë lëndë narkotike, 10 mijë tableta ekstazi, karta bankare, telefona celularë, si dhe sende me vlerë, përfshirë një orë “Rolex” dhe një “Hublot”.
Gjykimi i shkurtuar bëri që dënimi total prej 31 vitesh burg për të dy të reduktohej ndjeshëm, në përputhje me parashikimet ligjore.
