Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit I.D., i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Sipas njoftimit zyrtar, nga hetimet ka rezultuar se I.D. ishte shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden për veprat penale “trafik i lëndëve narkotike” dhe “mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Prokuroria bën me dije se veprimtaria kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë që i paraprin blerjes së pasurive të paluajtshme nga ana e këtij shtetasi. Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, ai rezulton i përfshirë në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari nga e cila janë gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.
Nga analiza financiare e kryer, është konstatuar se të ardhurat e ligjshme të deklaruara nga I.D. dhe familjarët e tij janë dukshëm më të ulëta se vlera e investimeve dhe shpenzimeve të realizuara, duke ngritur dyshime të forta se pasuritë janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Në këto kushte, Prokuroria ka kërkuar dhe vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:
- Pasuri e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 850 m², e ndodhur në Zall-Herr, Tiranë
- Njësi banimi me sipërfaqe bruto 98.8 m²
- Dy poste parkimi, ndërtuar sipas lejes për objektin 1–2–9 kate + 1 kat nëntokë, në zonën e Bulevardit Blu, Kamëz
Hetimet vijojnë për verifikimin e plotë të burimit të pasurive dhe procedimin penal të mëtejshëm.
