Në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, ndërsa uji vijon të jetë i pranishëm në disa lagje periferike, është shënuar viktima e parë nga moti i keq. Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punëtor i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, u gjet i pajetë më 8 janar në një kanal kullues në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit e krijuar nga përmbytjet.
Familjarët e kishin denoncuar të zhdukur që prej 6 janarit, dita e parë e reshjeve intensive. Sipas kryebashkiakes Emirjana Sako, Hysenaj ishte paraqitur në punë në orën 06:00 dhe kishte ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30. Pas moskthimit në banesë, familjarët e kërkuan fillimisht në vendin e punës dhe më pas bënë kallëzim në polici.
Ngjarja ka shtyrë Prokurorinë e Durrësit të nisë hetimet kryesisht për tre vepra penale:
- Shpërdorim detyre
- Shkatërrim i pronës me përmbytje
- Shkatërrim i pronës nga pakujdesia
Në njoftimin zyrtar, prokuroria bën me dije se përmbytjet e dy ditëve të fundit kanë sjellë pasoja të rënda për qytetarët, duke penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, si dhe duke shkaktuar bllokim të rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytje banesash dhe institucioneve, përfshirë edhe institucionin penitenciar të Durrësit.
“Nga të dhënat paraprake dyshohet se vdekja e shtetasit A.H. ka ardhur si pasojë e rrjedhës së ujit të krijuar nga përmbytjet. Hetimi do të përcaktojë nëse shkaqet kanë qenë natyrore apo rezultat i pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga organet përgjegjëse”, njofton Prokuroria.
Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike, veçanërisht në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytjet janë përkeqësuar edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen. Emergjencat civile kanë urdhëruar evakuimin e detyrueshëm të banorëve në disa zona.
Ish-Këneta, Shkozeti dhe Spitalla janë ndër zonat më të goditura. Në terren janë konstatuar kanale kulluese të bllokuara nga inerte, dhera dhe mbetje urbane, të cilat në vend që të përcjellin ujin drejt detit, janë kthyer në barriera, duke rënduar përmbytjet.
Në qendër të akuzave të opozitës janë investimet për sistemin e kullimit, përfshirë edhe hidrovorin e ri të ndërtuar në Porto Romano në vitin 2022, i cili dyshohet se nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë. Për këto dyshime, Partia Demokratike ka depozituar kallëzim penal në SPAK.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak të PD-së, Ilirjana Kuçana, deklaroi se kallëzimi nuk lidhet vetëm me situatën aktuale, por me problematika të përsëritura ndër vite. Sipas saj, përgjegjësia duhet të jetë institucionale dhe penale për Bashkinë e Durrësit, Bordin e Kullimit dhe Ministrinë e Bujqësisë, duke vënë në pikëpyetje investimin prej 19 milionë eurosh dhe funksionimin e hidrovorit.
“Qytetarët përmbyten sa herë bie shi. Ka ardhur momenti që të ketë përgjegjësi penale. Kjo nuk është çështje partiake, por politike dhe institucionale”, u shpreh Kuçana.
