Lëvizja Vetëvendosje ende pa vendim për kandidaturën, Osmani synon mandatin e dytë si presidente

Data

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video promovuese në kuadër të synimit për të marrë një mandat të dytë në krye të shtetit, ku rendit arritjet e pesë viteve të fundit, veçanërisht në politikën e jashtme dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në mesazhin e saj, Osmani thekson se Kosova ka kaluar nga një rol periferik në një aktor aktiv në arenën ndërkombëtare, duke u shndërruar në partnere dhe aleate të besueshme. Ajo vuri theksin te marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, roli i Kosovës në arkitekturën euroatlantike të sigurisë, si dhe katër njohjet e reja ndërkombëtare nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamas, të cilat sipas saj forcojnë legjitimitetin dhe zërin e Kosovës në botë.

“Zëri ynë është dëgjuar në çdo kontinent, jo si zë i zbehtë, por si zë i një shteti që e di kush është dhe ku po shkon. Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë përfaqësimi me dinjitet, krenari dhe besim në vetvete”, deklaroi Osmani.

Mandati aktual i presidentes përfundon në mars të vitit 2026. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit për president kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, pra 80 nga 120. Në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash, por vetëm nëse janë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Vjosa Osmani do të propozohet sërish nga Lëvizja Vetëvendosje. Analistët vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve i jep më shumë hapësirë dhe komoditet kryeministrit në detyrë për të vendosur mbi kandidaturën presidenciale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related