Papa Leone XIV në meshën e Krishtlindjeve: Mos harroni Gazën, refugjatët dhe të rinjtë në luftë – Rusia dhe Ukraina të zgjedhin dialogun

Data

Papa Leone XIV kremtoi mëngjesin e së enjtes Meshën e Ditës së Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit, vetëm disa orë pas Meshës së Mesnatës, duke shënuar një moment të veçantë historik. Për herë të parë që nga viti 1994, një Papë ka kremtuar të dyja ritet e Krishtlindjeve në Shën Pjetër.

Pas një turi përshëndetës në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin mbledhur mijëra besimtarë, Ati i Shenjtë u shfaq nga Lozha Qendrore e Bazilikës për të dhënë Bekimin tradicional “Urbi et Orbi”, duke iu drejtuar besimtarëve në mbarë botën me mesazhin e Krishtlindjeve.

Në fjalën e tij, Papa u ndal te vuajtjet njerëzore që vazhdojnë në zona konflikti dhe krize, duke përmendur në mënyrë të veçantë Gazën, refugjatët dhe personat e zhvendosur.

“Si mund të mos mendojmë për tendat në Gaza, të ekspozuara për javë të tëra ndaj shiut, erës dhe të ftohtit, apo për strehimet e improvizuara të kaq shumë refugjatëve dhe njerëzve të pastrehë në çdo kontinent?”, u shpreh Papa, duke theksuar nevojën për solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj më të brishtëve.

Një thirrje e veçantë u bë edhe për paqe në Ukrainë. Papa kërkoi që lufta të ndalet dhe palët të zgjedhin rrugën e dialogut të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.

“Le të lutemi për popullin martir ukrainas. Uroj që të pushojë gjëmimi i armëve dhe që palët e përfshira, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për të dialoguar me respekt dhe ndershmëri,” tha Ati i Shenjtë.

Papa theksoi se paqja është e mundur dhe se ajo është dhurata më e madhe e Mishërimit që festohet në Krishtlindje. Ai shtoi se paqja lind kur njerëzit ndalojnë monologët e tyre dhe fillojnë të dëgjojnë dhimbjen e tjetrit.

“Do të ketë paqe kur të biem në gjunjë përpara mishit të zhveshur të të tjerëve, përpara të qarave të fëmijëve, brishtësisë së të moshuarve dhe heshtjes së viktimave,” u shpreh Papa.

Në fund të mesazhit, Papa Leone XIV citoi edhe fjalë të Papa Françeskut, duke theksuar se të krishterët nuk duhet të qëndrojnë larg plagëve të njerëzimit, por të prekin mjerimin dhe vuajtjen e të tjerëve me butësi dhe dhembshuri.

Ati i Shenjtë e përmbylli mesazhin duke uruar “Gëzuar Krishtlindjen” në disa gjuhë, mes tyre italisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, portugalisht, polonisht, arabisht, kinezisht dhe latinisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related