Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Vlorës, tensionet ishin të dukshme, kur një grup qytetarësh nga zona e Orikumit hynë në sallë dhe kërkuan ndihmë për një çështje që po ndikonte jetën e tyre. Një qytetar i zonës paraqiti shqetësimin e tij, duke akuzuar kryebashkiakun se kishte dhënë një leje ndërtimi në zonën e tyre pa i konsultuar.
Ai theksoi se kjo po pengonte jetën e banorëve dhe kërkoi që problemi të trajtohej pa u politizuar, pasi nuk kishin ardhur për të diskutuar çështje politike, por për të kërkuar zgjidhje për ndotjen dhe vështirësitë që po përjetonin nga ndërtimet.
Qytetari theksoi se leja e dhënë për ndërtimin e një fshati turistik në zonën e Orikumit, pa mundësi për infrastrukturë të nevojshme, po i bllokonte jetën dhe i kërcënonte atyre të ardhmen, përfshirë edhe fëmijët. Ai kërkoi që Këshilli Bashkiak të merrej me këtë çështje dhe të mos e përfshinte në diskutime politike.
