Mblidhet sot Kryesia e PD për ndryshimet në statut, nuk preket “neni Basha” dhe mbeten primaret

Data

Partia Demokratike pritet të mbledhë këtë të mërkurë Kryesinë e saj, ku në fokus do të jenë ndryshimet në statut, të cilat do t’i hapin rrugë mbledhjes së Këshillit Kombëtar më 30 maj.

Mbledhja në selinë blu është parashikuar të nisë në orën 19:00, ndërsa ndryshimet e propozuara në statutin e partisë ende nuk janë bërë publike në mënyrë zyrtare.

Sipas informacioneve paraprake, nuk do të preket i ashtuquajturi “neni Basha”, dispozita që detyron kryetarin e partisë të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Ky nen nuk u zbatua pas zgjedhjeve të 11 majit nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u rikonfirmua më pas në krye të partisë.

Po ashtu, edhe sistemi i primareve nuk pritet të hiqet nga statuti, pavarësisht kritikave të brendshme lidhur me funksionimin dhe efektivitetin e tij në proceset përzgjedhëse të kandidatëve.

Burime pranë selisë blu bëjnë me dije se ndryshimet mund të prekin kuotat e përfaqësimit për kategori të caktuara në listat e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkish.

Pjesa më e madhe e amendimeve të propozuara lidhen me organizimin e brendshëm të partisë dhe funksionimin e strukturave drejtuese.

Ndryshimet statutore do të marrin miratimin përfundimtar në Kuvendin Kombëtar të 30 majit, ku delegatët do të votojnë gjithashtu edhe për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar.

Mbledhja e Kryesisë zhvillohet vetëm pak ditë pas procesit të zgjedhjes së kryetarit të PD-së, ku Berisha ishte kandidati i vetëm në garë dhe u shpall fitues me 37 mijë e 341 vota.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related