Alesia Balliu ka bërë deklarata të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar se po pengon garën e lirë brenda PD-së dhe po e përdor partinë për interesa personale.
Në një intervistë televizive, Balliu tha se beteja e saj është me individin Sali Berisha dhe jo me demokratët.
“Unë e kam betejën me individin Sali Berisha, jo me demokratët. Ai sot nuk përfaqëson më interesat e demokratëve dhe të shqiptarëve”, deklaroi ajo.
Sipas Balliut, përjashtimi i saj nga strukturat e Partisë Demokratike dhe mospranimi i kandidaturës për zgjedhjet e 23 majit lidhen me qëndrimet kritike që ajo ka mbajtur ndaj drejtimit aktual të partisë.
Ajo e cilësoi Berishën “tradhtar të demokratëve” dhe pretendoi se persona pranë tij i kanë ofruar favore në këmbim të mbështetjes politike dhe heshtjes publike.
“Ka pasur oferta për apartament dhe poste, vetëm që të dilja publikisht në mbështetje të Sali Berishës. Por unë nuk bëj kompromis me të vërtetën”, u shpreh Balliu.
Në deklaratat e saj, ajo përmendi edhe figura të tjera të Partisë Demokratike, si Flamur Noka, Gjin Gjoni dhe Alfred Lela, duke i akuzuar për shpifje ndaj saj lidhur me pretendimet se punon në administratën shtetërore.
Balliu theksoi se ushtron profesionin e avokates prej gjashtë vitesh dhe sfidoi këdo që të publikojë prova për të kundërtën.
Në fund, ajo deklaroi mbështetjen për Ervin Salianji, duke e cilësuar pjesë të një “fryme të re demokratike”.
“Partisë Demokratike i duhet një opozitë e re, e pakorruptuar dhe me figura të reja”, përfundoi Balliu.
